Në prag të rifillimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Prishtinën e kanë vizituar zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Matthew Palmer dhe i dërguari I BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.

Larg syrit të mediave ata kanë zhvilluar një takim të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani ndërsa më pas me kryeministrin Albin Kurti.

Ndërsa paradite Palmer në ambasadën amerikane në Prishtinë ka pritur ndaras krerët e dy partive më të mëdha opozitare LDK-së e PDK-së të cilët kanë kërkuar përfshirjen më të madhe të SHBA-së në procesin e dialogut.

Në komunikatën për media të LDK-së thuhet se Palmer ka përgëzuar këtë parti për rolin konstruktiv në procesin e dialogut.

Palmer ka takuar edhe përfaqësues të Listës Serbe. Sipas kësaj partie në takim është diskutuar për pozicionin e popullit serb karshi dialogut si dhe Kishën Ortodokse Serbe.

Vizita e dy personaliteteve të rëndësishme të SHBA-së e BE-së në prag të rinisjes ssë dialogut në Kosovë po shihet si përkushtim dhe bashkëpunim I institucioneve evropiane dhe SHBA-së karshi këtij procesi.

Palmer e Lajçak të martën pritet të mbajnë një konferencë të përbashkët për media ku do të njoftojnë në detaje për takimet që kanë zhvilluar në Kosovë.

Tv Klan