Matthew Palmer: Do këmbëngulim për njerëz të pastër në kuvend e qeveri

Zëvendës ndihmës sekretari i shtetit të SHBA, Matthew Palmer, gjatë një komunikimi me gazetarët në Tiranë konfirmoi se këmbëngulja për njerëz me integritet në Kuvend dhe qeveri nga ana e Shteteve të Bashkuara, do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve. Teksa iu përgjigj interesit të Klan News, Palmer paralajmëroi se të gjithë ata që shpërdorojnë dhe abuzojnë poste të besimit publik do të japin llogari për to.

 “E dini, kemi pritshmëri jo vetëm për kandidatët për deputetë por kemi pritshmëri edhe për ata që kanë poste ndaj, nëse po më pyesni nëse Shtetet e Bashkuara do të këmbëngulin që partnerët tanë në qeveri të jenë njerëz të pastër dhe që punojnë në mënyrë që është në përputhje me normat demokratike e standardet demokratike, përgjigja është absolutisht po. Dhe ne mendojmë se është shumë e rëndësishme që institucionet gjyqësore, teksa ecin përpara në Shqipëri me procesin e reformës, të demonstrojnë se janë mjeti i duhur për të siguruar llogaridhënie nga ana e atyre që kanë pushtet. Ka një mesazh që po del: që ata që kanë poste të besimit publik dhe i keqpërdorin dhe abuzojnë ato pozicione do të japin llogari për to”, u shpreh Palmer.

Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA Mattheë Palmer në fokus pati dhe zgjedhjet e 25 prillit. Pas takimit virtual me krerët e politikës shqiptare, Palmer kërkoi zhvillimin e zgjedhjeve me standarte demokratike ndonëse pret një luftë të madhe politike.

 “Në lidhje me pritshmëritë për 25 prillin, mendoj se të gjithë po punojnë drejt një procesi që të jetë sa më i ndershëm dhe i drejtë që mundet, dhe do të ketë goxha luftë politike rrugës, dhe kjo është pjesë normale e politikës demokratike. Por ajo që ka vërtet rendësi dhe sigurisht pozicioni që kam artikuluar dhe kam bërë të qartë është që institucionet e qeverisjes demokratike të jenë të forta dhe të shihen si legjitime nga publiku dhe që proceset të jenë transparente dhe llogaridhënëse dhe prodhojnë rezultate që pasqyrojnë vullnetin e publikut nëpërmjet një procesi demokratik”, theksoi Palmer.

Ndërkohë në Shqipëri, një ditë pas zgjedhjeve, do të zhvillohet stërvitja ushtarake Defender 21. I pyetur nëse ka lidhje mes këtyre dy çështjeve, zgjedhjeve dhe stërvitjes ushtarake këtu në Shqipëri, Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, ka përjashtur çdo mundësi.

Klan News