“Mos mbajtja e konferencës ndërqeveritare, prek objektivat e SHBA”

Edhe pse 2021 është cilësuar nga Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi si viti i zhvillimeve të mëdha për Ballkanin Perëndimor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shprehur hapur zhgënjimin ndaj Bashkimit Europian.

Nga Forumi I Prespës, ku marrin pjesë liderë të rajonit, mes të cilëve edhe Kryeministri Rama, zyrtarë të lartë europian dhe SHBA-ve, i dërguari Special për Ballkanin Perëndimor, Metthew Palmer e tha hapur se mosmbajtja e një date për konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut prek njëherazi edhe objektivat e vetë SHBA-ve.

“Ne jemi të zhgënjyer që çështja me konferencën ndërqeveritare nuk u zgjidh me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë, me gjithë propozimin racional të presidencës portugeze dhe mbështetjen nga ana e BE-së, sepse kjo sinqerisht ndikon në qëllimet tona finale, këto anulime e dobësojnë ndikimin tonë kolektiv SHBA-BE, për përparim drejt qëllimeve të përbashkëta në rajon, që nënkupton jo vetëm normalizim të marrëdhënieve në mes Serbisë dhe Kosovës, por edhe në raport me reformat kushtetuese në Bosnjë e Hercegovinë.”

Shqetësimit të diplomatit amerikan iu bashkua edhe Ministri Gjerman për Evropën Michael Roth.

“BE-ja nuk do të jetë e plotë pa vendet tuaja, pa shoqëritë tuaja, pa popullin tuaj. Çështjet dypalëshe, si për shembull marrëdhëniet maqedono-bullgare nuk duhet të jenë pengesë në rrugën e procesit aderues. Po, plotësisht pajtohem, më vjen shumë keq që Këshilli i Ministrave të BE-së nuk u pajtua që të fillojnë negociatat aderuese me Shqipërinë dhe fqinjët tanë maqedonas, për shkak të votimit të vetëm një vendi anëtar.”

Por i dërguari Special për Ballkanin Perëndimor  shkoi edhe më tej kur i kërkoi Bashkimit Europian që të mbajë premtimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Është jetike që BE-ja të mbështesë rajonin dhe të miratojë liberalizimin e vizave për Kosovën. Jemi të zhgënjyer nga vendimi për të mos nisur negociatat, sepse këto shtyrje kanë penguar përparimin e synimeve tona në rajon, jo vetëm normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por më shumë se kaq.”

Shqipëria përfaqësohej në panel nga ministrja e Jashtme Olta Xhaçka që tha se BE nuk sot ka një qasje strategjike ndaj rajonit, duke shpresuar se do të ndryshojë pas dështimit për t’i dhënë Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut një datë për Konferencën e parë Ndërqeveritare.

Tv Klan