Për Shtetet e Bashkuara, në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka vija të kuqe për çështjet që duhet të shtrohen për diskutim, edhe kur është fjala për shkëmbimin e territoreve. Deklaratën e bëri zv/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Metthew Palmer kur u pyet për në një intervistë për Zërin e Amerikës në serbisht.

“Ne nuk po vendosim asnjë vijë të kuqe në procesin e negociatave. Kjo varet krejtësisht nga palët në dialog për të punuar për ecjen përpara, natyrisht me mbështetjen tonë. Ky po ashtu nuk është një çek i bardhë. Do donim që palët të arrinin mes tyre marrëveshjen më të mirë të mundshme dhe nëse kërkojnë mbështetjen tonë, të na e sjellin. Ne do të japim mendimin tonë.”

Heqjen e taksës doganore ndaj produkteve serbe, Palmer e konsideron si një mundësi për Kosovën për t’u rikthyer në procesin e dialogut dhe jo si një detyrim ndaj Shteteve të Bashkuara.

“Kosova nuk është thjesht një instrument i Shteteve të Bashkuara. Kosova është një vend i pavarur. Mbështesnim pezullimin apo heqjen e tarifave si një mjet për t’u kthyer në dialog. Por, gjithashtu mendojmë se është e rëndësishme që vetë palët të gjejnë një rrugë përpara për të arritur një zgjidhje të negociuar.”

Zyrtari i lartë i departamentit amerikan të shtetit u bën thirrje palëve të ulen sa më shpejtë në dialog për të mos humbur më tepër kohë në proceset integruese. Dialogu Prishtinë-Beograd u pezullua në nëntor të vitit të kaluar, pasi qeveria e Kosovës rriti në 100% taksat doganore për produktet serbe dhe boshnjake.

Tv Klan