“Objektivi im, drita e gjelbër për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin çeljen e negociatave në Tetor për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Bashkimin Europian. Qëndrimi vjen nga i dërguari i posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor. Gjatë fjalës së tij në Forumin Strategjik të Bledit, në Slloveni, Palmer nënvizoi se emërimi i tij tregon përgjegjshmërinë që kanë SHBA-të në këtë rajon.

“Kjo është detyra ime, të jem i pranishëm, të udhëtoj përqark Europës e të bashkëpunoj me aleatët tanë, për të arritur qëllimin parësor, që është integrimi i Ballkanit në Bashkimin Europian. Kjo është thelbësore për SHBA-të, për angazhimin amerikan në rajon. Disa nga objektivat më të mëdhenj janë, të ndihmojmë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të sigurojnë çeljen e negociatave me BE në Tetor.”

Zv/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit u ndal edhe te dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, duke u bërë thirrje të dyja palëve të bëjnë një hap pas.

Palmer përsëriti thirrjen e tij për Prishtinën që të pezullojë taksën 100% ndaj importeve serbe dhe nga ana tjetër i kërkoi Beogradit të ndalojë fushatën ndërkombëtare për tërheqjen e njohjeve ndaj Kosovës, në mënyrë që të arrihet marrëveshja përfundimtare mes dy vendeve.

Tv Klan