Shtetet e Bashkuara të Amerikës flasin sërish hapur. Qeveria është legjitime dhe do të ketë mbështetjen e Ëashingtonit. Mesazhi vjen në mesin e krizës politike që po kalon vendi, nga zv/Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Euroazina, Mattheë Palmer, gjatë një takimi që ai zhvilloi me një grup gazetarësh në ambasadën amerikane në Tiranë, ku ai gjendet si pjesë e një turi ballkanik.

“Qëndrimi ynë zyrtar është se Shqipëria ka një qeveri të zgjedhur sipas rregullave, është një partnere e Shteteve të Bashkuara, me të cilën punojmë mirë dhe ngushtë. Përsa i përket pikpamjes sonë mbi zhvillimet politike, i përket klasës politike që të negociojë brenda vetes. Mendoj se do të ishte fatkeqësi për opozitën nëse nuk do të kërkonte mënyra për t’u rifutur në procesin demokratik, përfshirë edhe, më të afërtin, qershorin. Se si zgjidhet ky process, se si zgjidhen mosmarrëveshjet, kjo është në dorën e partive politike dhe udhëheqësve të partive politike për t’u zgjidhur.

Në rrugën e saj përpara, Shqipëria ka mbështetjen dhe miqësinë e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara. Institucionet e qeverisë janë funksionale, janë legjitime, Shqipëria nuk ka problem në marrjen e vendimeve, në miratimin e ligjeve, dhe unë kam besim se kjo qeveri do ta çojë vendin drejt një të ardhmeje europiane, do të jetë në gjendje të vazhdojë të veprojë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në zbatimin e reformës në drejtësi, në kryerjen e vetingut që është i rëndësishëm për t’u dhënë shqiptarëve besimin në administrimin e drejtësisë. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me autoritetet përkatëse, përfaqësuesit e votuar, dhe zyrtarët e qeverisë së Shqipërisë për të përmbushur këto qëllime dhe objektiva”.

Zytari i lartë amerikan thotë se në Tiranë nuk e ka sjellë kriza politike dhe negociimi i saj nuk ka qenë pjesë e axhendës së tij 2-ditore. Por i pytur nga Televizioni Klan për mesazhin që ka për palët, ai thotë se të gjitha partitë duhet të futen në zgjedhjet e 30 Qershorit dhe veçanërisht opozita duhet të gjejë një rrugë për t’u bërë pjesë e tyre.

“Unë do t’i nxisja të gjitha partitë politike të marrin pjesë në zgjdhjet lokale, mendoj se pjesmarrja juaj në procesin demokratik është thelbësore, është diçka për të cilën partitë politike i detyrohen mbështetësve të tyre, i detyrohen votuesve të tyre, që të hyjnë në arenën politike, që të garojnë fort, të fitojnë zgjedhjet dhe të përdorin fitoren si një mjet për të përmbushur premtimet dhe vizionin e tyre për të ardhmen. Prandaj, mendoj se mjete si bojkotimi i zgjedhjeve apo djegia e mandateve janë thelbësisht në kundërshtim me praktikat demokratike. Prandaj do të nxisja partitë e opozitës që të kërkojnë mënyra për t’u riangazhuar në procesin politik, dhe mendoj se zgjedhjet lokale të qershorit janë mundësia më e mirë për ta bërë këtë sa më parë. Nëse ka një mundësi për dialog me qeverinë mbi reformat zgjedhore, mendoj se ata duhet ta ndjekin këtë mundësi. Reformat zgjedhore janë të rëndësishme në Shqipëri jo si një mjet për të tejkaluar “krizën” aktuale apo ngërçin aktual por sepse janë të rëndësishme për demokracinë shqiptare”.

Palmer u pyet edhe për influencën ruse në Shqipëri dhe thotë se Moska nuk e ka të lehtë në tentativën e saj.

“Ambiciet ruse janë më egoiste dhe përqendrohen tek krijimi i një mjedisi që Moska mendon se mund ta kapitalizojë; mendoj se kjo është e vërtetë për Shqipërinë siç është tjetërkund në Ballkanin Perëndimor, edhe nëse Shqipëria është një shënjestër më e vështirë për rusët se sa vendet që janë ndoshta pak më të hapura ndaj kësaj lloj influence malinje”.

Për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, e cila zuri edhe një pjesë të rëndësishme të bashkëbisedimit 100 minutësh me Kryeministrin Rama, Palmer thotë se nuk duhet të ketë në qendër çështjen e kufijve.

“Çdo marrëveshje për normalizim të marrëdhënies është shumëdimensionale; do të ketë një element politik, një element sigurie, një element ekonomik dhe tregtar. Çështja e kufijve mund po ashtu të jetë pjesë e kësaj, por nuk është elementi kryesor i marrëveshjes sado që ta imagjinojmë këtë. Ajo që është e rëndësishme për SHBA është që çfarëdo marrëveshjeje të ketë pronësi vendase, të jetë diçka që të dyja palët ndjejnë se mund ta mbështesin, të dyja palët ndjejnë se mund ta shesin, të dyja palët besojnë se mbron interesat e tyre thelbësore, dhe ajo që kemi bërë ne është që i kemi nxitur palët të ulen në tryezë dhe të negociojnë marrëveshjen më të mirë që munden”.

I pyetur për rrezimin e kandidaturës për ambasadore në Tiranë, Kathleen Ann Kavalec, nga Presidenti Trump, Palmer është i rezervuar për të dhënë arsyet, por thotë se shumë shpejt do të ketë një emër të ri për diplomatin që do të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara në vendin tonë.

Tv Klan