Zv/ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit, njëherazi i dërguar i SHBA-së për Ballkanin, Mathew Palmer, nga Prishtina ka lavdëruar Shqipërinë për reformat në drejtësi, duke përmendur kështu edhe krijimin e dy organeve të reja mbikëqyrëse atë të gjyqësorit dhe këshillit prokurorial. Ndërsa ka shfaqur shpresën për vendim pozitiv të BE-së për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Edhe vetë vendet e BE-së e pranuan se shtetet aspiruese kishin bërë krejt çfarë u ishte kërkuar. Kjo pauzë për t’i bindur të gjitha shtetet anëtare të BE-së është frustruese. BE-ja duhet t’i kryejë vetë detyrat e shtëpisë dhe shpresojmë se do të përfundojë shpejt. E dimë se shtetet anëtare të BE-së kanë për të marrë vendim pozitiv shumë më përpara samitit të BE-së dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Maj të vitit të ardhshëm”.

Ndërsa ka kërkuar krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës dhe vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd.

“Marrëdhëniet e përmirësuara dhe përparimi në bisedime me Serbinë hapin mundësinë për investime fitimprurëse. Qeveria e re mund dhe duhet t’i gjallëroj negociatat e dialogut Kosovë-Serbi. Shtetësia juaj është e pakthyeshme dhe tani u duhet normalizimi për të çliruar potencialin e madh të këtij vendi. Nuk ka marrëveshje të fundit pa pajtimin e Kosovës dhe Serbisë dhe pa miratimin e kuvendeve përkatëse”.

Ai ka porositur Serbinë të fokusohet në interesat e saj strategjike. Sipas tij Serbia nuk mund të integrohet në BE pa e zgjidhur çështjen e Kosovës dhe ta trajtojë si një shtet fqinjë e jo si pronë të saj.

Palmer gjatë ditës ka takuar presidentin Hashim Thaçi, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit dhe për nevojën e krijimit të shpejt të institucioneve të Kosovës. Ai në ambasadën amerikane në Prishtinë ka pritur edhe liderët e partive politike, ndërsa me kreun e LVV-së Albin Kurtin është takuar në Maqedoni pasi ky i fundit aktualisht nuk ndodhet në Kosovë.

Tv Klan