Ka përfunduar mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Në takimin që zgjati mbi 2 orë është vendosur që në primare do të mund të marrin pjesë edhe simpatizantët.

Me kërkesën e Këshillit Kombëtar të kaluar u shty për sot diskutimi i rregullores së primareve pasi një pjesë e anëtarëve nuk e kishin lexuar dhe nuk e kishin parë mirë. Sot u diskutua rreth kësaj çështje. Ato që mund të konsiderohen risi nga primaret e fundit janë që në votime, në fakt e përcakton statut i PD, nuk do të marrin pjesë vetëm anëtarësia e Partisë Demokratike, por do të marrin pjesë edhe simpatizantët e PD-së, të cilët përcaktohen qartazi në statut se kush janë simpatizantët, si regjistrohen dhe të gjitha modalitetet e tjera që përcaktojnë figurën e simpatizantit. Simpatizantët kanë të drejtën e votimit në primare. Çështja tjetër që u diskutua ishte ajo e kandidimit të kryetarëve të degëve dhe pozicionit që ata duhet të mbajnë gjatë momentit kur kandidojnë në primare. Pati disa propozime, por në fund u miratua propozimi i grupit të punës dhe Kryesisë. Kryetarët e degëve që do të kandidojnë në primare gjatë kohës që kandidojnë në primare funksionet e tyre do t’i kryejë një nga nënkryetarët e partisë, pra e degës, siç e përcakton statuti i Pd. Gjatë primareve kryetarët nuk do ta ushtrojnë detyrën e tyre si kryetar, por atë do ta ushtrojë një nga nënkryetarët. Nëse fitojnë në primare dhe shpallen kandidatë atëherë statuti parashikon që nuk janë më në pozicionin e kryetarit të partisë, por kandidatë. Nëse nuk fitojnë në primare do ta mbajnë pozicionin e kryetarit të partisë”, u shpreh Paloka, kreu i Këshillit Kombëtar.

Paloka tha se u vendos që të qëndrojë balotazhi mes dy kandidatëve. Sipas Palokës, tashmë do të nisin kontaktet me aleatët për bashkërenduar punën. Detajet se si do të veprohet me ta, ai tha se mbetet për t’u përcaktuar.

“Menjëherë pas sot meqenëse ishte procesi i miratimit të rregullores në një farë mënyre “pengesë”, do të fillojnë kontaktet me aleatët me të cilët do të bashkërendohet edhe puna dhe gjithçka tjetër. Detajet si do të veprohet në rast se do të vendoset që aleatëve tu lihet një zonë e lirë, apo modalitetet e tjera, do të përcaktohen gjatë këtyre bisedimeve”, u shpreh ai.

Sipas Palokës, vetë Berisha mund të jetë negociatori kryesor me aleatët.

“Besoj që vetë kryetari i partisë demokratike do të jetë negociatori kryesor, pra zoti Berisha”, tha Paloka./tvklan.al