Këto janë pamjet mahnitëse që tregojnë eklipsin diellor që “zhyti” në errësirë Amerikën Latine.

Eklipsi i plotë diellor ndodhi të martën dhe ishte i dukshëm në vendet e Amerikës Latine, kryesisht në Kili, Argjentinë, në jug të Oqeanit Atlantik, nga disa zona të Amerikës së Jugut dhe Antarktidës.

Nga SHBA dhe vendet e Europës ky eklips nuk ishte i dukshëm. Por, kushdo kishte mundësinë ta shikonte livestream në Youtube.

Fotografët kapën çastet më të bukura, ndërsa qytetarët që ndodheshin në këto vende, patën mundësinë ta shikonin eklipsin, sigurisht duke përdorur syze të posaçme për të mbrojtur sytë.

Eklipsi i plotë diellor zgjati vetëm disa minuta. Eklipset diellore ndodhin kur Hëna mbulon tërësisht Diellin. Kjo ndodh kur Dielli, Hena dhe Toka janë në vijë të drejtë.

Eklipset diellore janë një fenomen i zakonshëm, që ndodhin të paktën dy herë në vit. Eklipsi tjetër i plotë diellor pritet të ndodhë më 4 Dhjetor 2021. /tvklan.al