Autori hiqet si lypsar dhe ecën duke çaluar

Behar Sofia për disa ditë me radhë është ndjekur nga 4 të arrestuarit, autori i vrasjes Ernejt Shyti, Skender Vathi, Leonar Xhixha dhe Xhuliano Visha.  Televizioni Klan News ka arritur të sigurojë pamje të momentit kur viktima monitorohej nga agresorët, të cilët e ndjekin këmba-këmbës.

Në këto pamje shfaqet Behar Sofia i cili del nga kafja pranë qendrës tregtare në orën 8 e 36 minuta, ndërsa pas tij shfaqet Xhuliano Visha, i cili njofton dhe Ernejt Shytin me mesazh që biznesmeni 66-vjeçar doli nga lokali dhe u nis drejt tij.

Kur Sofia del nga lokali, Ernejt Shyti qëndron në trotuarin në krah të Lanës tek qendra tregtare afër piramidës. Në momentin që shikon objektivin nga larg, kalon mes përmes makinave, ku hiqet si lypsar.

Në kohën që Shyti kalon mes makinave, Behar Sofia, kalon duke vrapuar në vijat e bardha drejt trotuarit të Lanës.

Kur agresori kupton se 66-vjeçari kaloi tek trotuari ku ishte i vendosur fillimisht, ai ndërron sërish drejtim dhe sërish kalon mes përmes makinave.

Në këtë moment ora shënon 8 e 38 minuta e mëngjesit, dhe Ernejt Shyti i vihet pas Sofisë, për ta ekzekutuar. 23-vjeçari ecën duke çaluar, taktikë që përdoret nga i riu për të mos u identifikuar. Ai mban duart në xhepa dhe sa më shumë i afrohet 66-vjeçarit nxjerr duart nga xhepat ku mbante dhe armën pistoletë.

Sipas pamjeve filmike, e gjithë ngjarja e 25 Shkurtit, ka ndodhur në harkun kohor të 3 minutave, që kur viktima del nga kafja, më pas ndiqet nga grupi i vrasësve me pagesë, dhe deri kur ekzekutohet.

Policia vijon punën për gjetjen e armës së krimit, pavarësisht se autori ka treguar vendin ku e ka hedhur.

Klan News