Tre muaj nga vrasja e Jamal Khashoggit në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, dalin pamje të reja nga zhdukja e trupit të gazetarit.

Kjo video e publikuar nga mediat turke, tregon momentin kur e ashtuquajtura “skuadra e vrasësve” transporton këto çanta të zeza, në rezidencën e konsullit saudit, që ndodhet vetëm pak metra në krah të konsullatës ku u krye vrasja. Sipas të përditshmes turke Sabah, brenda çantave të mëdha fshihej trupi i copëtuar i Jamal Khashoggit.

Kjo lëvizje duket është bërë për t’iu shmangur kërkimeve të policisë, pasi në rezidencën e konsullit është e ndaluar hyrja e autoriteteve turke. Ekspertët kriminalistikë turq gjetën brenda në konsullatë lëndë kimike, që mendohet se janë përdorur për të shpërbërë trupin e gazetarit të Washington Post. Por mbetjet e tij, ishin pastruar të gjitha, për t’u transportuar me gjasë, pak metra më tej.

Vrasja e gazetarit kritik të familjes mbretërore, ngjalli zemërim të madh të Perëndimit dhe trazoi më shumë marrëdhëniet e sauditëve me vendet e tjera. Riadi fillimisht mohoi vrasjen, por më pas u detyrua të pranojë se Jamal Khashoggi kishte humbur jetën në një seancë pyetjesh të përfunduar keq. Turqia nga ana tjetër, pretendon se zotëron prova se gazetari është mbytur sapo ka hyrë në konsullatë.

Tv Klan