Këto janë momentet kur 34-vjeçari Rudolf Nikolla futet brenda ambienteve të xhamisë “Dine Hoxha” në Rrugën e Kavajës në kryeqytet. Siç duket nga këto pamjet e siguruara nga Klan News, në ambientet e brendshme janë dy besimtarë, të cilët qëndrojnë të mbështetur anës murit.

Ata mbajnë në duar libra që i lexojnë dhe në këtë moment hyn 34-vjeçari. Nikolla sulmon të parin, qytetarin që ndodhej pranë derës, i cili arrin të shpëtojë pa u lënduar. Më pas, agresori sulmon qytetarin tjetër me veshje të kuqe dhe libër në dorë, të cilin e godet dy herë me thikë.

Më pas, autori largohet drejt një tjetër besimtari, por i kthehet sërish qytetarit që sulmoi më herët, të cilin e godet për herë të tretë në tentativë për t’u arratisur.

Në pamje gjithashtu shfaqen dhe qytetarët e tjerë të cilët po prisnin tek dera kryesore e xhamisë dhe përballen me 34-vjeçarin Nikolla.

Ky i fundit u la në burg ketë të enjte nga Gjykata e Tiranës, pasi akuzohet për kryerjen e akteve me qëllime terroriste. Pala mbrojtëse pretendoi që vuan nga probleme të shëndetit mendor, por nuk paraqitën ekspertizën e shëndetit mendor.

Klan News