Pamjet e shkatërrimit të godinës së Fakultetit të Gjeologjisë pas tërmetit

Pamjet e shkatërrimit të godinës së Fakultetit të Gjeologjisë pas tërmetit

19:47 21/09/2019

Tvklan.al sjell pamjet e ndërtesës së Fakultetit të Gjeologji-Minierave të shkatërruar nga lëkundjet sizmike. Godina e Fakultetit të Gjeologji-Minierave është një nga ndërtesat që ka pësuar më shumë dëme nga tërmeti i fuqishëm që goditi Tiranën. Fasada në katet e sipërme të kësaj ndërtese është shembur thuajse tërësisht nga goditjet e forta të lëkundjeve sizmike.

Për fat të mirë, në Fakultet nuk ndodhej asnjë person në momentin që tërmeti me magnitudë 5.8 i shkallës Rihter dhe me intensitet 7.5 ballë goditi vendin. Por, për shkak të shembjes së fasadës, u shkatërruan dy makina që ndodheshin të parkuara përpara Fakultetit të Gjeologji-Minierave.

Sikurse duket në pamje, oborri i këtij fakulteti është rrethuar duke mos lejuar hyrjen e personave. Me anë të një eskavatori, po punohet për të zhvendosur prej andej tullat e rrëzuara nga kati i fundit.

Kjo godinë është ndërtuar në vitin 1958. Në vitin 2011 është bërë një projekt për rikonstruksionin e asaj godine, por nga viti 2014 nuk është vënë dorë. 

Çfarë deklaronte më 19 Korrik Vasil Jorgji, Dekani i Fakultetit të Gjeologji-Minierave?

Gjatë një takimi me ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku, Dekani Vasil Jorgji ka deklaruar se godina ka nevojë për ndërhyrje urgjente.

“Zonja ministre e keni seriozisht? Në 2011 është bërë një projekt për rikonstruksionin e asaj godine, por nga 2014 që nuk e kishim më tonën atje nuk është ngulur më një gozhdë sepse Rektori thoshte nuk ta jap gozhdën sepse ti do ta ngulësh te Gjykata Kushtetuese dhe me të drejtë. Kështu që unë nuk merrja dot fonde as për mirëmbajtje”, tha ai.

/tvklan.al

LAJMET

Të ngjashme

KPT
KPT
UKT