Pamje dramatike vijnë nga fshati Asim Zenel, ku ditën e sotme shpërtheu një vatër e rrezikshme zjarri që i mori jetën një personi dhe la të dëmtuar një tjetër.

Banorët e fshatit, zjarrfikës dhe ushtarë janë përballur me pamje apokaliptike teksa siç duket edhe nga këto pamje të siguruara nga tvklan.al zjarri ka marrë përpara edhe banesa.

Në vendngjarje ndodhet zjarrfikësja që mbështetur nga forcat e ushtrisë dhe të policisë mundohet që të fikë zjarrin. Megjithatë, përpjekjet e tyre duken të vogla përballë fuqisë së madhe të flakëve dhe tymit.

“Shpejt, shpejt, shpejt”, thërret një prej zjarrfikësve dhe pas kësaj bëhen gati për të lëshuar ujë ndaj vatrës së zjarrit. Ndërkohë ushtarët për t’i shpëtuar asfiksisë kanë përshtatur në fytyrë bluza si maska në fytyrë.

Andrea Haxhiaj humbi jetën si pasojë e flakëve në fshatin Asim Zenel. Ai u përpoq të shuante flakët që kishin djegur çdo gjë në bahçen e tij, por nuk mundi të dilte gjallë. Me plagë të rënda dhe djegie në trup ka mbetur bashkëshortja e tij 57-vjeçare.

Në dy fshatra të tjerë të Gjirokastrës është gjithashtu situata e vështirë, në Arshi Lengo dhe Krinë. Në këtë të fundit, u dërgua në spital me asfiksi një ushtar, i cili ndodhet tashmë në gjendje të mirë shëndetësore.

Mësohet se banorët janë evakuuar nga këto zona, ndërsa flakët vijojnë të përhapen pasi ndihmohen edhe nga era e fortë. /tvklan.al