Mjeti lundrues u kap 13 milje nga brigjet shqiptare

Ky është momenti kur Guarda Di Financa bllokon në ujërat italiane velierën me 992 kg kanabis që vinte nga Shqipëria. Ky operacion u finalizua dy ditë më parë nga autoritetet italiane dhe ato shqiptare.

Mjeti lundrues që shihni dhe në këtë pamje u bllokua nga Guarda Di Financa rreth 13 milje larg brigjeve shqiptare aty ku dhe ishte ngarkuar nga 3 skafe që drejtoheshin nga disa të rinj nga Vlora 3 prej të cilëve janë arrestuar ndërsa 1 tjetër është shpallur në kërkim.

Ndërsa pritet që të mërkurën të dalin para gjykatës së Vlorës për t’u njohur me akuzat konkrete në lidhje me këtë trafikim ndërkombëtar të lëndës narkotike.

Në pranga gjithashtu u vunë dhe 2 ukrainas që po drejtonin velierën ku u gjet ngarkesa me drogë. Ky mjet ka dyshime se ishte marrë me qira nga këta shtetas vetëm për të kryer trafikimin e lëndës narkotike në shtetin italian.

Sasia prej 992 kilogramësh ishte e ndarë në 153 pako të mbështjella me plastmasë ndërsa mbi paketim kishin shenja të ndryshme. Referuar Guarda Di Financës sasia e drogës së bllokuar në rast se do të hidhej në treg do të kapte vlerën e 10 milionë eurove.

Tv Klan