Një aksion policor u zhvillua në orët e para të mëngjesit në Selanik të Greqisë, për të ndaluar një automjet të dyshimtë. Në orën 02:20 sipas orës lokale, një patrullë policore lajmëroi për një makinë që dyshohej se po transportonte emigrantë të paligjshëm.

Forca të shumta policore u vunë në ndjekje të saj. Në makinën e dyshimtë udhëtonin 9 persona; shoferi shqiptar dhe bashkëpunëtori i tij i huaj dhe 7 emigrantë.

Kur vunë re që po ndiqeshin nga policia, shqiptari shtoi shpejtësinë e mjetit për t’u larguar. Mediat lokale greke kanë publikuar edhe pamje nga aksioni policor. Katër emigrantë të paligjshëm mundën të shpëtonin. Dy transportuesit tentuan gjithashtu të largoheshin, por u rrethuan nga forcat policore.

Shoferi shqiptar, gjatë tentativës për t’u arratisur, u hodh nga një lartësi dhe theu këmbën. Ai u dërgua në spitalin e Selanikut. Ndërsa në bagazhin e makinës së tyre u gjetën 3 refugjatë nga Somalia, të cilët gjithashtu u arrestuan. /tvklan.al