Jennifer Lopez dhe Ben Affleck u kapën teksa po kërkonin shtëpi në Los Angeles këtë javë. Nga mediat vendase raportohet se çifti ka parë dhe një vilë 64.95 milionë Dollarë.

Shtëpia është e vendosur në ‘South Mapleton Drive’ në zonën e sipërme të lagjes ‘Holmby Hills’. Vila përbëhet nga një hapësirë gjigande me 8 dhoma gjumi dhe 12 tualete.

Dirt.com raporton se shtëpia u shit për herë të fundit në vitin 2014 për 44 milionë Dollarë dhe raportohet se pronari aktual është munduar ta shesë vilën që prej vitit 2018. Çmimi është ulur nga kërkesa fillestare prej 70 milionë Dollarësh.

Disa nga karakteristikat më të mrekullueshme nga pjesa e brendshme e shtëpisë janë, një dhomë lojërash me një hapësirë prej katër pistash për të luajtur bowling, bar mbushur plot me pije, kinema, një palestër e kompletuar, parukeri, dhomë mjekësore, imitim i lojës së golfit, qilar verash me një dhomë degustimi, pishinë e brendshme dhe trajtime të plota spa duke përfshirë edhe saunën.

Pjesa kryesore e shtëpisë përfshin një suitë të madhe, tualete, dollapë gjigand, ashensor dhe një tarracë me pamje nga zona luksoze e pishinës. Ka gjithashtu një dhome pritjeje me dy dhoma gjumi, një kuzhinë të jashtme dhe një kabana./tvklan.al