Në këtë rrugë që lidh fshatin Babicë me Vlorën u gjet i vrarë brenda makinës një djalë i ri 25 vjeç. Viktima ndodhet në morgun e Spitalit të Vlorës dhe nuk është identifikuar ende.

Nga burime policore mësohet se 25-vjeçari është qëlluar me plumb në kokë. Dyshohet se ai është ekzekutuar nga persona të tjerë.

Policia e gjeti 25-vjeçarin të vrarë brenda automjetit të ndaluar në anë të rrugës Vlorë-Babicë rreth orës 07:35 të mëngjesit të së shtunës. Kanë qenë banorë të zonës të cilët panë trupin e pajetë brenda mjetit dhe më pas njoftuan uniformat blu.

Pasi shkuan në vendngjarje, efektivët konstatuan se kishin të bënin me vrasje. Dyshimet e para ishin se i riu mund të ishte vetëvrarë. Por nga rrethana dhe dinamika e deritanishme ka dyshime të forta se kemi të bëjmë me vrasje.

Grupi hetimor i ngritur për këtë çështje ka nisur hetimet për të zbardhur tërësisht dinamikën si dhe për të zbuluar e identifikuat autorët. Po kështu shkaqet e vrasjes janë të paqarta. /tvklan.al