Mafia shqiptare dhe krimi i organizuar që deri më tani ka marrë përmasa të frikshme, kanë detyruar kryeministrin Pandeli Majko dhe kryeprokurorin Arben Rakipi së bashku me drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme që të zhvillojnë një takim si dhe të bisedojnë rreth kësaj çeshtjeje. Majko i shoqëruar nga Ilir Meta, Petro Koçi si dhe dy zëvëndësministrat e drejtësisë, ka dhënë aprovimin e tij për krijimin e antimafias shqiptare si dhe ka premtuar ndihmë financiare nga qeveria për këtë organizëm të ri. Sipas kryeministrit, në vend janë shfaqur shenja oligarkie që po tenton të kontrollojë trafikun e drogës, armëve si dhe prostitucionit. Krijimi i antimafias shqiptare do ti kushtojë jo pak buxhetit të qeverisë, por Majko ka premtuar ndihmë emergjente dhe pa kufi vetëm që organi antimafia të fillojë sa më shpejt luftën ndaj elementëve mafiozë dhe organizatave kriminale. Arben Rakipi  nga ana e tij i ka kërkuar qeverisë që të miratojë sa më shpejt projektligjin e përgatitur.

Pamje kryeministri Pandeli Majko intervistë, Kryeprokurori Arben Rakipi , Ilir Meta, Petro Koçi./tvklan.al

Gazetar : Roland Zili