Menjëherë pas pjesëmarrjes në konferencën e përvitshme të opozitës iraniane mbajtur në Paris, ministri për Diasporën Pandeli Majko është vënë në dijeni nga zyrtarë amerikanë se është në rrezik.

Rrjeti televiziv, Fox News njofton se amerikanët i kanë kërkuar të rrisë sigurinë pasi shërbimet inteligjente kishin zbuluar një kërcënim kundër tij që vinte nga Irani, për shkak të mbështetjes që ministri u ka dhënë muhaxhedineve dhe kauzës së tyre.

“Ish – Kryeministri shqiptar, Pandeli Majko, i tha Fox News se zyrtarë amerikane i kishin thënë se duhet të rriste sigurinë pasi sherbimet inteligjente kishin kapur një kërcënim kundër tij. Ai tha se strategjia e Iranit në rajon është “e pashembullt” dhe u shpreh për Fox News “nuk kam frikë”.

I kontaktuar nga Tv Klan, ministri zgjodhi të mos komentojë. Në një artikull me titull “Irani planifikon terror në tokën evropiane, ndërsa BE përpiqet të mbrojë regjimin nga shtyrja e sanksioneve të Trump”, thuhet se ka shqetësime rreth pranisë së regjimit iranian në Shqipëri. Disidentët shprehen se Teherani ka dërguar nëpunës të lartë të inteligjencës në Tiranë.

Shqipëria është vënë në fokus për shkak se ka strehuar më shume se 2.000 muxhahedinë që u zhvendosën nga Iraku në 2016.

Një zyrtar i lartë amerikan i antiterrorizmit i ka konfirmuar “Fox News” se autoritetet shqiptare arrestuan dy iranianë nën akuzat për terrorizëm në fillim të këtij viti.

Kërcënimet e supozuara terroriste bëhen vetëm për të rritur presionin ndaj BE-së, për të braktisur kundërshtimet e saj ndaj sanksioneve dhe për të ushtruar presion mbi Iranin për të ndryshuar regjimin, shkruan rrjeti televiziv amerikan.

Tv Klan