Shumë shpenzime, pak të ardhura. Defiçiti rritet me 617%

Pandemia e Covid-19 ka sjellë një situatë të vështirë për buxhetin e shtetit, ku për herë të parë gjatë dekadës së fundit, niveli i defiçitit është rritur me 6 herë më shumë, krahasuar me një vit më parë.

Defiçiti është treguesi fiskal në administrimin financiar, i cili tregon të ardhurat që arkëton shteti në raport me shpenzimet që ka.

Nëse shpenzimet janë më të larta se të ardhurat, qeveria drejtohet drejt huamarrjes, çka ka bërë që në fund të Prillit të këtij viti defiçiti të shkojë në -156 milionë dollarë, nga një sufiçit prej 30 milionë dollarësh që rezultonte tabela e buxhetit një vit më parë.

Në pjesën e parë të vitit shpenzimet kryesore të qeverisë përqendrohen pagesat operative, paga pensione dhe mirëmbajtje, ndërsa disburisimi i fondeve për vepra të mëdha bëhet në mes të vitit.

Këtë herë pandemia ka përmbysur këto raporte, duke bërë që shpenzimet për emergjencën dhe paketat e ndihmës, të rritin në nivele të larta defiçitin dhe borxhin e qeverisë.

Krahasuar me një vit më parë, buxheti ka mbledhur 162 milionë dollarë më pak nga taksat, si për shkak të mbylljes së bizneseve, ashtu dhe nga shtyrja e disa pagesave në ndihmë të sipërmarrjeve.

Mbledhja e taksave është ulur me 10.9%, më e ulëta e 20 viteve të fundit, ndërsa ecuria e shpenzimeve kapitale ka mbetur e dobët, përfshirë këtu edhe fondin e rindërtimit, i cili ende nuk është vënë në punë për shkak të vonesave në prokurim.

Tv Klan