Agjencitë imobiliare: Kemi shtim të shitjeve, kanë qetësi dhe privatësi

Tendenca e fundit e tregut të shit-blerjeve të pasurive të patundshme është investimi në vila. Stili dhe mënyra e jetesës që ofron të pasurit e një shtëpie private, por me shërbime komunitare brenda, ka nxitur kompanitë e ndërtimit që të projektojnë e ndërtojnë komplekse gjigande edhe në Shqipëri, sidomos përgjatë periferisë së kryeqytetit. Sipas të dhënave zyrtare, vlera e lejeve të ndërtimit të miratuara për vila me dy kate në 4 vitet e fundit kap shifrën e  105 milionë eurove.

“Jo vetëm stili i ri i jetesës larg zhurmës së qytetit dhe pranë qetësisë së natyrës, por edhe pasiguritë që kanë shkaktuar tërmetet, po orientojnë kërkesën e tregut imobiliar drejt vilave të periferisë. Sipas agjencive të pasurive të patundshme më të kërkuarat në kryeqytet janë zonat e Farkës dhe Lundrës.”

Komplekset e banimit në vila janë të shumta përreth periferisë së Tiranës, ndërsa interesi për të blerë e për të investuar nga ana e shoqërive të ndërtimit është shtuar. Ilda Rusi, e cila  drejton një agjenci imobiliare, tregon se pas tërmetit të vitit 2019 ka një rritje të konsiderueshme të kërkesës për të blerë shtëpi private, e mbështetur edhe nga pandemia e Covid-19, e cila ndryshe nga sa ka goditur sektorët e tjerë të ekonomisë, në këtë treg ka shtuar fluksin e shitjeve për shkak të privatësisë që ofron kjo mënyrë banimi.

“Pas tërmetit kërkesa është rritur ndjeshëm për blerjen e vilave. Kërkohen vila nga të gjitha llojet, edhe private tërësisht, por më shumë tregu është orientuar në komplekse komunitare. Dëshira për të blerë vila është mbështetur po ashtu edhe nga pandemia e Covid-19.”

Po çfarë e dallon këtë mënyrë jetese nga ajo në apartament. Specialistët e këtij tregu, numërojnë disa përparësi: ata që e përzgjedhin janë një kategori elitare sa i përket të ardhurave, kërkojnë një jetë më cilësore jashtë zhurmës dhe ndotjes së qytetit dhe kanë më shumë hapësirë private.

“Pak a shumë çmimet variojnë deri në 1200 metri katror, ndërsa të ofrohet më shumë se brenda në qytet: ke privatësi, je jashtë zhurmës, ndotjes dhe ke qetësi.”

Sipas të dhënave të tregut imobliar, në dy vitet e fundit kërkesa për vila krahasuar me atë për apartamente, është rritur me 30%.  Kategoria që pëlqejnë të blejnë këto shtëpi përfshin të gjitha moshat: edhe çiftet e familjet e reja, dhe ata në moshë pensioni, por që pëlqejnë të kalojnë kohën larg zhurmave dhe më të sigurtë.

Numri i lejeve të ndërtimit të dhëna për ndërtesa banimi me dy kate është rritur nga 132 në vitin 2016, në 381 në fund të 2019-s, ndërsa gjatë vitit 2020, pavarësisht pandemisë, janë 279 projekte të miratuara për ndërtesa private vilash.

Tv Klan