Pandemia dhe tërmeti rritën borxhin



Pandemia dhe tërmeti rritën borxhin

15:50 11/10/2020

BB: Shkon në 81.3% e PBB në fund të vitit

Në listën e 22 vendeve të Europës Lindore dhe Azisë Qëndrore, Shqipëria rankohet e treta me borxhin më të lartë publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe e dyta në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas llogaritjeve të Bankës Botërore, shteti me rritjen më të shpejtë, por dhe me nivelin më të lartë të borxhit është Mali i Zi, i cili për këtë vit do të ketë një borxh sa 92.9% e prodhimit kombëtar, i ndjekur nga Kroacia me një nivel 86.4% të Produktit të Brendshëm bruto dhe Shqipëria, ku borxhi publik do të arrijë në fund të vitit 81.3% të GDP-së.

Në fund të vitit që shkoi, borxhi publik i vendit tonë arriti nivelin 68% të prodhimit kombëtar, duke ruajtur një nivel të afërt me atë të vitit 2018, pavarësisht goditjeve që shkaktoi tërmeti i 26 Nëntorit.

Por tërmeti dhe pandemia janë faktorët kryesorë të rritjes.

Kuvendi miratoi planin e rritjes së borxhit në kushtet e emergjencës së ndërtimit të shtëpive të dëmtuara nga tërmeti, ndërsa në muajin Mars goditja nga pandemia shtoi presionet për rritjen e borxhit publik.

Ulja e të ardhurave në buxhet për shkak të rënies të mbylljes së aktivitetit ekonomik dhe rritja e shpenzimeve për shëndetësinë dhe paketat e ndihmës ekonomike shtuan me 830 milionë Euro borxhin vetëm gjatë pandemisë.

Shqipëria projekton që edhe vitin e ardhshëm borxhi të mbetet në të njëjtat nivele, për të nisur trajektoren rënëse në vitin 2022.

Tv Klan





Të ngjashme