Rishikimi i buxhetit, deficiti shkon në -5% te PBB-së

Në fund të këtij viti, borxhi i ri që do të krijohet për shkak të situatës së pandemisë së Covid-19 do të jetë në vlerën e 460 milionë dollarëve duke bërë që niveli i deficitit në buxhet të kërcejë mbi 860 milionë dollarë, ndër më të lartit në  dekadën e fundit.

Televizioni Klan ka mësuar se qeveria është duke përgatitur aktin e tretë normativ të rishikimit të buxhetit të shtetit, i cili pritet që të miratohet nga Këshilli i Ministrave në Korrik dhe parashikon që të mbajë një nivel deficiti buxhetor në masën -5% të prodhimit kombëtar, e në të njëjtën vlerë pritet të vlerësohet edhe recesioni i këtij viti.

Kriza e mbledhjes së të ardhurave në buxhet për shkak të shtyrjes së disa taksave dhe bllokimit të ekonomisë gjatë dy muajve, duke i shtuar dhe rritjen e shpenzimeve për shëndetësinë, emergjencat civile dhe paketat mbështetëse e kanë çuar që tashmë deficitin në 260 milionë dollarë.

Përveç shpenzimeve të deritanishme buxheti i rishikuar do të parashikojë dhe një program intensiv rimëkëmbje, ku do të llogariten brenda tij edhe shpenzime në vepra publike të reja, programi i rindërtimit nga tërmeti, rritje pagash në disa sektorë të administratës dhe politika në uljen e taksave për biznesin e vogël.

Llogaritet që efekti në buxhet për muajt e mbetur të këtij viti për heqjen e tatimit mbi fitimin dhe tatimit mbi vlerën e shtuar për bizneset me xhiro deri në 14 milion lekë në vit, të jetë 50 milionë dollarë për të shkuar në mbi 100 milion dollarë gjatë vitit 2021.

Tv Klan