BB: Rënia në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor

Pandemia do të godasë investimet e huaja në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në projeksionet e Bankës Botërore, investimet e huaja në Shqipëri pritet të tkurren këtë vit në 5.9% të prodhimit të brendshëm bruto, nga 7.6% që ishin në fund të vitit 2019.

Në përditësimin e vjeshtës të perspektivës ekonomike globale, Banka Botërore vlerëson se vlera e investimeve nga jashtë do të arrijë në 750 milionë euro, afro 300 milionë euro më pak se një vit më parë dhe në nivele të ngjashme me investimet e vitit 2012.

Rënien më të madhe të investimeve të huaja pritet ta ketë Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndërsa tkurrje do të ketë edhe në Serbi e Bosnjë Hercegovinë, me përjashtim të Kosovës, ku investimet direkte nga jashtë pritet të rriten në 3.7% të prodhimit kombëtar.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për gjysmën e parë të vitit, investimet e huaja direkte rezultuan 454 milion euro, nga 546 milion që ishin në gjysmën e parë të 2019-s.

Përfundimi i disa veprave madhore në infrastrukturë si gazsjellësi Trans Adriatic dhe hidrocentrali i Devollit kanë ulur ritmin e investimeve nga jashtë, ndërsa situata e pandemisë së Covid-19 ka shtyrë planet e investimeve në shumicën e kompanive ndërkombëtare.

Tv Klan