Të ardhurat tatimore 21.7% më pak, pas emergjencës

Për muajin Prill të ardhurat nga tatimet janë realizuar me 21.7% më pak se plani i rishikuar i qeverisë për ndryshimin e buxhetit me aktin normativ, për shkak të situatës së bllokimit të aktivitetit ekonomik.

Krahasuar me planin e rishikuar, mosrealizimi i të ardhurave nga tatimet arrin një shifër prej 20 milionë eurosh, ku vetëm Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, që tregon konsumin dhe xhiron e bizneseve ka rënë me 25% krahasuar me muajin Mars dhe është reduktuar me 2.6 herë po të krahasohet me Janarin.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, peshën më të madhe në reduktimin e të ardhurave tatimore e ka patur zëri i tatimit mbi fitimin, për shkak të efektit të aktit normativ për shtyrjen e pagesës së këtyre taksave, si për biznesin e vogël, ashtu edhe për sipërmarrjet e mëdha që janë prekur nga situata e Covid-19.

Edhe tatimi mbi të ardhurat personale, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe zëri i taksave të tjera kanë pësuar rënie në taksat që mbledh buxheti, të prekura kryesisht nga ngadalësimi i aktivitetit ekonomik dhe masat lehtësuese të ndërmarra për vazhdimin e funksionimit të bizneseve.

Tatimet presin që të ardhurat e muajit Maj të jenë edhe më të ulëta se rezultati i Prillit, për shkak se taksat paguhen pas 30 ditëve dhe muaji i mëparshëm ka patur ditët më të shumta të bllokimit të biznesit, por pret një normalizim të situatës në muajin Qershor.

Qeveria parashikon që të arkëtojë gjysmë miliardi euro më pak në buxhet këtë vit për shkak të pandemisë së Covid-19, çka detyrimisht po rrit presionet për borxhin publik, si për të financuar projektet ashtu edhe për të plotësuar paketat e ndihmës ekonomike.

Tv Klan