Drejtori i Spitalit Amerikan në vendin tonë, Klodjan Allajbeu, ka deklaruar se sektori privat është i gatshëm të ndihmojë për përballimin e situatës së krijuar nga koronavirusi nëse do të jetë e nevojshme.

I ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Allajbeu deklaroi se Spitali Amerikan i ka të gjitha kapacitetet nëse do të kërkohet, por gjithmonë në koordinimin me Task-Forcën dhe Ministrinë e Brendshme.

Blendi Fevziu: Sa aparate respiratorë keni?

Drejtori i Spitalit Amerikan: Ne këtë shifër e kemi vënë në dispozicion të autoriteteve. Kur ka një kaos ose kur ka një problematikë kaq të madhe, mirë është që çdo gjë të qëndrojë e centralizuar dhe në një dorë. Këto pajisje ne ja kemi vënë në dispozicion Task-Forcës, Ministrisë së Shëndetësisë, çdo moment që do u duhen. Ashtu si dhe mund të vijë radhe dhe tek spitalet tona.

Blendi Fevziu: Mund t’i trajtoni ju? Mund të ndërtoni dhoma të izoluara?

Drejtori i Spitalit Amerikan: Patjetër. Ne këtë do ta lëmë në dorë të autoriteteve shëndetësore publike. Por jemi të gatshëm në rast të thirrjes së tyre që të jemi si një kapacitet i shtuar në rast se do të duhet, dhe nuk jemi një kapacitet i pakët. Atë investim sot që ka bërë sektori privat, është një investim që rrallë gjendet në rajon jo e jo, po të marrim kapacitetet private. Kemi kapacitete për të trajtuar nëse ka nevojë, por çdo gjë do të jetë e koordinuar nga Task-Forca.  /tvklan.al