Çekia dërgon pacientin e parë në Poloni për trajtim, shkak kolapsi në spitale

Vala e Covid-19 po përhapet gjithnjë e më shumë në pjesën qendrore të Europës. Çekia dhe Hungaria kanë regjistruar numrin më të lartë të rasteve dhe sistemi shëndetësor po kalon në kolaps, ndërsa procesi i vaksinimit është shumë i ngadaltë.

Numri i pacientëve në kujdes intensiv ka arritur kulmin në Republikën Çeke. Autoritetet vendase kanë dërguar pacientin e parë jashtë vendit për trajtim në Poloni.

Ndërkohë në Hungari, numri i rasteve në valën aktuale ka tejkaluar kulmin e Dhjetorit. Shkollat ​​dhe shumica e dyqaneve janë mbyllur mes rritjes së infeksioneve.

Rastet janë gjithashtu në rritje në Poloni, ku vendi regjistroi numrin më të lartë të rasteve ditore që nga fundi i Nëntorit me gati 17,260 infeksione të reja. Kufizimet u lehtësuan muajin e kaluar, por tanimë janë rikthyer në dy zona në veri.

Numri i pacientëve çekë të trajtuar në spital me Covid-19 ka arritur në 8,618  dhe 1,853 në kujdes intensiv. Vaksinimi është shumë  i ngadaltë. Tani për tani, çekët duken më të rezervuar se Hungaria ose Sllovakia në lidhje me çertifikimin e vaksinës Sputnik V të Rusisë. 

Në mungesë të miratimit nga agjencia e ilaçeve e BE, njeriu i vetëm që mund ta bëjë atë të ndodhë është ministri i Shëndetësisë. Por ai është nën presion të fortë. Presidenti pro-rus Milos Zeman bëri thirrje për shkarkimin e tij për shkak të refuzimit të tij të vazhdueshëm për vaksinën Sputnik.

Hungaria po ecën përpara me fushatën e saj të vaksinimit dhe 10.5% e popullsisë janë vaksinuar. Në Janar, Hungaria u bë vendi i parë i BE që miratoi përdorimin e vaksinës Sputnik V të Rusisë.

Deri më tani i gjithë globi numëron 117 milion të infektuar dhe 2.61 milion kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë.

Klan News