Qeveria po përgatitet për të bërë ndryshime në Kodin Penal dhe Rrugor në kuadër të masave shtrënguese për të luftuar pandeminë COVID-19.

Lajmi është bërë i ditur nga Kryeministri Edi Rama në një postim në Facebook.

Shefi i qeverisë thotë se në draft-projektin e qeverisë, parashikohet që të hiqen patentat për disa vite për shoferët e pabindur, si dhe burgosja e qytetarëve që shkelin rregullat.

Të gjitha këto ndryshime, Kryeministri Rama thotë se do të jenë gati brenda datës 15 Prill, ndërsa shton se po përgatitet edhe një paketë e zgjeruar financiare.

Kryeministri Edi Rama: Masat e reja shtrënguese, për të cilat po përgatitemi t’i drejtohemi parlamentit për ndryshime në Kodin Penal & Rrugor të Republikës së Shqipërisë, në kushtet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe specifikisht epidemisë, nga njëra anë do të mbrojnë popullin nga të pabindurit deri në fund të kësaj lufte, nga ana tjetër do të garantojnë lehtësimet e nevojshme në vazhdim, duke siguruar shëndetin e çdo qytetari.

Heqja e lejes së drejtimit të automjetit për disa vjet, e po ashtu heqja e lirisë, për disa apo shumë vite sipas shkallës së shkeljes, do të kthehen në norma bindëse për të siguruar fitoren e luftës pa rrezikuar arritjet e derisotme dhe rrugën e rimëkëmbjes ekonomike pa cënuar shëndetin e askujt.

Brenda 15 prillit do të kemi paketën e zgjeruar financiare dhe gatishmërinë për miratimin e masave
lehtësuese në qeveri, si edhe të masave të reja penale në Kuvendin e Shqipërisë”
. /tvklan.al