Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi vendimin për gjendjen e krizës në të gjithë territorin e vendit, për shkak të mbrojtjes së shëndetit publik në kushte të pandemisë së COVID-19 dhe për parandalimin e përhapjes me çka cënohet shëndeti i popullatës.

Vendimi, siç thuhet në komunikatën e Qeverisë, është bërë me propozim të Komitetit Drejtues për koordinim dhe menaxhim me sistemin e menaxhimit me kriza, sipas një propozimi paraprak të grupit të vlerësimit.

Periudha e gjendjes së krizës në gjithë territorin e vendit është në kohëzgjatje prej 30 ditësh duke filluar nga 20 Nëntori.

Njëkohësisht Qeveria do t`i propozojë Presidentit të vendosë për pjesëmarrjen e një pjese të pjesëtarëve të ARM-së në përballje me gjendjen e krizës.

Qeveria maqedonase miratoi konkluzionin që edhe Ministria e Brendshmee, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Shëndetësisë, Armata, Qendra për Menaxhim me Kriza dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, të gjitha kapacitetet e disponueshme t`i vënë në funksion të përballjes me gjendjen e krizës. /KlanMacedonia