Fermerët: Nuk ka shitje, blerësit frikë nga infektimi

Është sezoni i mbjelljeve dhe në Divjakë fermerët i sheh nëpër ara.  Pavarësisht pandemisë, të gjithë punojnë për prodhimin e perimeve.

Megjithatë ata thonë se situata e covid-19 i ka penguar.

“Edhe na ka penguar por e vërteta është që ne punojmë gjithë kohës. Kemi mbajtur maska po bujqësia ka punuar”, thotë një banor. 

Gjatë kësaj periudhe problem kanë patur tregtimin, pasi blerësit hezitojnë të shkojnë nga frika e infektimit.

“Blerësi nuk vjen, ka frikë. Shkon te tregu dhe nuk shet gjë se s’ka kush të blejë”, shprehet një tjetër.

Aktualisht fermerët po mbjellin patate dhe bostanorë. Por thonë se asgjë nuk kanë të sigurt për shitjen e tyre.

“Patatet që po shikoni që mbjellin njerëzit nuk i dihet shitja. Tregu është një gjë që nuk e kemi të sigurt”, thonë ata.

Megjithatë shpresojmë se situata e koronavirusit do të përmirësohet.

“Shpresojmë të hapen rrugët dhe të jetë më mirë për ne. Akoma s’kemi siguri”, thotë një tjetër qytetar.

Për këta banorë bujqësia është i vetmi burim për të siguruar të ardhura ndërsa fatmirësisht Divjaka është qyteti me më pak raste pozitive me Covid-19 në të gjithë qarkun e Fierit.

Klan News