Stoku i detyrimeve të prapambetura 80 milion dollarë

Situata e shkaktuar nga pandemia e Covid-19 ka detyruar qeverinë që t’i tërheqë vëmendjen bashkive për të ulur shpenzimet dhe për të shlyer detyrimet e prapambetura.

Në një letër dërguar krerëve të 61 bashkive në Shqipëri, ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj i kërkon pushtetit vendor të miratojë sa më parë planin e të ardhurave dhe shpenzimeve për dy vitet e ardhshme, ndërsa u kujton të kenë parasysh gjendjen e buxhetit të prekur nga pandemia.

 “Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore në përgatitjen e tavaneve të buxhetit afatmesëm duhet të mbajnë në konsideratë situatën e vështirë financiare të krijuar nga COVID-19 në planifikimin e të ardhurave dhe shpenzimeve.”

Qeveria transferon fonde në formën e transfertës së pakushtëzuar për pushtetin vendor, ndërsa i rekomandon atyre që të shohin shpenzimet e domosdoshme.

Stoku i detyrimeve të prapambetura të bashkive për 3 mujorin e parë të këtij viti arriti në 80 milion dollarë, ndërsa programi i shlyerjes së tyre u bllokua për shkak të pandemisë.

Tv Klan