Rriten borxhet, u desh ndihma e qeverisë që të mbulonin kostot e furnizimit

Pandemia ka rënduar situatën financiare të shoqërive të ujësjellësve, të cilat janë detyruar të marrin 7 milionë dollarë subvencione nga qeveria qendrore për të arritur të mbulojnë kostot e operimit e për të mos rrezikuar furnizimin me ujë të qytetarëve.

Në raportin vjetor të vitit 2020, Enti Rregullator i Ujit thotë se ndryshe nga 2019-a, kompanitë e ujësjellësve kanë marrë para nga buxheti jo në bazë të performancës, por për të paguar faturat korrente të energjisë elektrike, sigurimet e punonjësve dhe detyrimet tatimore.

Vetëm borxhet ndaj kompanisë OSHEE arrijnë në 70 milionë dollarë.

“Karakteristikë e procesit të subvencionimit ka qenë që një pjesë është alokuar për të mbuluar kostot e krijuara nga pandemia. Pjesa tjetër e subvencionit ka patur si destinacion pagesën e energjisë elektrike, fonde shtesë për sigurimet shoqërore të punonjësve, si dhe fonde të tjera shtesë për tatime e të tjera.”

65% e ujit që shpërndahet në rrjet humb dhe nuk arrin që të faturohet dhe arkëtohet, ndërsa është ulur gjatë 2020 edhe treguesi i mbulimit me shërbimin e furnizimit me ujë, për shkak të shtimit të popullsisë.

Në raportin vjetor, Enti i Ujit rendit si tregues të përmirësuar nivelin e matjes së ujit dhe kohëzgjatjen me furnizim në 13.8 orë në ditë nga 13.3 që ishte në 2019-n.

Skrapari ka furnizimin më të ulët me ujë me vetëm 3 orë, i ndjekur nga Kamza dhe Kurbini me 4 orë ujë në ditë.

Tv Klan