Prezantohet koleksioni “aristokrat” Pranverë-Verë 2021

Pandemia detyroi stilistin me famë botërore Giorgio Armani të kthejë sytë nga prejardhja e tij, Italia.

Koleksionin e ri për femra Pranverë- Verë 2021, shtëpia e tij e modës e prezantoi në Milano, duke braktisur përkohësisht pas disa vitesh besnikërie Parisin, ku shfaqjet artistike publike janë të ndaluara për shkak të masave anti-Covid. Megjithatë, modelet sfiluan në pasarelë në mungesë të publikut në sallë.

Koleksioni lartëson modelin e të veshurit të aristokracisë milaneze të shekullit të 18-të dhe jo pa qëllim është përzgjedhur Pallati Orsini i të njejtës periudhë për të ngritur pasarelën.

Kostumet me silueta të holla janë zbukuruar me rruaza me motive lulesh, disa prej të cilave të veshura me tyl. Në veshje bien në sy variacione të së gjelbrës, ku janë ndërthurur copëza kristalesh.

Pjesë e koleksionit ishin edhe kapelet e zeza që shoqërojnë kostumet e mëndafshit ngjyrë gri.

Modelja e fundit që sfiloi duke vrapuar me një fustan mbretëror ngjyrë blu, i parapriu përshëndetjes përmbyllëse online të 86-vjeçarit, që nuk ishte i pranishëm në sallë.

Tv Klan