Ekspertët: Kanë interesa më të favorshme, rritje për skemat e pensioneve

Fondet e investimeve janë ndër të vetmit sektorë që gjatë vitit të pandemisë kanë arritur të gjenerojnë fitime, por dhe rritje të aktivitetit të tyre e numrit të qytetarëve që kanë shfaqur interes për këto platforma.

Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, nga 4 alternativa fondesh investimi të licencuara, 2 prej tyre kanë rezultuar fitimprurëse, dhe me norma fitimi më të larta se një vit më parë. Për 9-mujorin e vitit 2020, këto kompani realizuan një fitim total prej 1.3 milion Eurosh.

“Ka patur një rritje, por më shumë një konsolidim të shoqërive të fondeve të investimit. Norma më e madhe e fitimit ka rezultuar te fondet e pensioneve.”

Edhe numri i individëve që kanë zgjedhur fondet e investimit si një alternativë për t’u besuar kursimet është rritur me 2040 anëtarë krahasuar me Janar – Shtatorin e 2019-s. Ekspertët e tregjeve financiare e sqarojnë këtë dukuri me interesat më të favorshme që ofrojnë këto alternativa.

“Interesat dhe normat e kthimit që japin fondet janë më të mira se ato të depozitave.”

Por ata bëjnë thirrje për t’u treguar të kujdesshëm ndaj platformave të palicensuara.

“Nëse interesat janë më të mira dhe risku është më i lartë, por gjithmonë duhet të drejtohen te platforma të licencuara të cilat nuk rrezikojnë investimin.”

Në total kursimet e investuara në fondet e investimit dhe pensioneve private arritën në 540 milion Euro në fund të Shtatorit 2020.

Tv Klan