Ekspertët: U ul përdorimi i kartave bankare, efekt dhe informaliteti

Gjatë vitit pandemik 2020 në Shqipëri kanë qarkulluar 156 milionë prerje të kartëmonedhave fizike me një vlerë 350 miliardë Lekë , duke shënuar një rritje me 16 milionë copë më shumë krahasuar me 2019-n. Sipas të dhënave zyrtare të bankës qendrore, kjo rritje është mbi mesataren vjetore të përdorimit të parasë cash, ndërsa për ekspertët e ekonomisë dukuria shpjegohet nga disa faktorë.

“Pandemia rriti tendencën e qytetarëve për të patur para në shtëpi, por dhe për të shpenzuar kursimet që mbanin brenda. Po ashtu një tjetër stimulim i përdorimit të parasë fizike është edhe mënyra se si u përdor teknologjia vetëm për të kryer porosi dhe jo për të paguar online, çka rriti tërheqjen e parasë në bankomatë.”

Një tjetër faktor për profesor Adrian Civicin është edhe pjesa e ekonomisë informale e cila gjatë krizave ekonomike ka tendencën të rritet, dhe në këtë mënyrë stimulon përdorimin e parasë cash.

“Kemi të bëjmë me ndryshime në tregun e punës, ku një pjesë mund të paguhen në të zezë, bizneset përdorin paranë cash për blerje me njëri-tjetrin, apo edhe dhënia e ndihmave në formën e pagave të luftës bëri që të tërhiqen dhe shpenzohen paratë.”

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në vitin 2020 shqiptarët kanë përdorur më shumë prerje të mëdha të parasë: kartëmonedhat 2 mijë dhe 5 mijë Lekë zunë 54% të prerjeve të hedhura në qarkullim.

“Përdorimi i kartëmonedhave të mëdha lidhet me çmimet e produkteve: nëse ka rritje atëherë përdoren prerjet e mëdha.”

Banka e Shqipërisë pritet hedhë brenda muajit Qershor të këtij viti prerjen e re 10 mijë Lekë të kartëmonedhës, e cila është prerja më e madhe e emetuar ndonjëherë në Shqipëri. Sipas raportimeve zyrtare pandemia rriti edhe tendencën për falsifikimin e parasë, kryesisht për prerjet 2 mijë dhe 1 mijë Lekë.

Tv Klan