340 milionë euro në 6 muajt e parë të vitit kanë sjellë emigrantët për familjet e tyre në Shqipëri. Këto janë të dhënat zyrtare nga bilanci i pagesave, të bëra publike nga Banka e Shqipërisë.

Ky nivel remitancash, është niveli më i lartë i regjistruar që nga viti 2012. Në raport me janar-qershor të një viti më parë, kur vendi po vuante pasojat e pandemisë dhe mbylljes së Europës, remitancat janë rritur me 25%. Rolin kryesor në këtë tendencë e ka luajtur tremujori i parë.

Në janar-mars të këtij viti, paratë që emigrantët dërguan tek të afërmit e tyre në Shqipëri arritën në 169 milionë euro, niveli më i lartë që nga viti 2010, me rritje 12.5% në raport me tremujorin e parë 2019.  

Kjo periudhë, përkon edhe me valën më të rëndë të Covid-19 në Shqipëri. Ndaj  fëmijët nga jashtë kanë dërguar më tepër mbështetje financiare për familjet e tyre për të përballuar pasojat që dha në shëndet Covid-19.

Në tremujorin e dytë, remitancat ishin 42% më të larta se e njëjta periudhë e vitit pandemik. Por, ato ishin në rënie prej 10.7%, në krahasim me prill-qershorin e 2019-s.

Italia dhe Greqia vijojnë të mbeten kanalet kryesore të dërgimit të parave në vend, për shkak të numrit të lartë të emigrantëve që jetojnë e punojnë në shtetet fqinje. Por, vitet e fundit, po rriten edhe prurjet nga vendet e reja të emigrimit, kryesisht Mbretëria e Bashkuar dhe sidomos Gjermania. Për shkak të valës së re të emigracionit, remitancat prej vitit 2013 po vinë në rritje.

Klan News