Humbjet në rrjet u ulën me 0.3%, bie niveli i arkëtimeve

Ulja e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike rezulton të jetë më e ulëta që prej nisjes së reformës në sektorin e energjisë për shkak të krizës që krijoi pandemia e Covid-19. Sipas të dhënave zyrtare të Entit Rregullator të Energjisë, humbjet totale në rrjetin e shpërndarjes ishin në nivelin 21.5% nga 21.8% që rezultuan në vitin 2019.

Gjatë viteve të tjera OSHEE ka ulur humbjet mesatarisht me 2.5 pikë përqindje.  Muaji Mars ka patur nivelin më të lartë të energjisë së shkuar dëm në rrjetin e shpërndarjes, me një normë prej 28% dhe të dominuara kryesisht nga vjedhjet e energjisë.

Rajonet me humbjet më të larta të energjisë elektrike janë Shkodra dhe Tirana, ndërsa Përmeti, Gramsh dhe Himara regjistruan në 2020-n humbjet më të ulëta në rrjetin e shpërndarjes.

Gjatë pandemisë edhe niveli i arkëtimeve të faturave të energjisë elektrike ka rezultuar më i ulëti në 4 vitet e fundit, ndërsa është rritur numri i faturave të paguara me kamatë, për shkak të problemeve që shkaktoi kufizimi i orarit të qarkullimit të qytetarëve, por dhe skemat e reja te aktmarrëveshjeve.

Në total efektiviteti i shitjeve është ulur në 75.2%, nga 77% që ishte në 2019-ën. Sipas të dhënave të Entit Rregullator, konsumatorët familjarë vazhdojnë të dominojnë shumicën e konsumit të energjisë, të ndjekur nga bizneset dhe institucionet publike.

Tv Klan