Shifra të larta infektimesh në SHBA dhe Evropë 

Në orët e fundit të këtij viti po shënohen rekorde të reja negative globale të pandemisë. Numri i total i viktimave në të gjithë botën shënoi një rekord të ri ditor. Shifra të larta viktimash dhe infektimesh janë regjistruar në SHBA e disa vende të Evropës.

Tjetër rekord negativ viktimash nga koronavirusi është shënuar në shkallë globale për të dytën ditë radhazi. Mbi 14 mijë e 800 të vdekur u shënuan 24-orëshin e fundit, afro 700 më shumë se një ditë më parë.

Shifrat e errëta në këto orë të fundit të 2020-ës që do të mbahet mend në histori për pandeminë e ashpër të COVID-19ës i ushqyen mes të tjerash vdekjet ditore që prekën një pikë të re të lartë në Shtetet e Bashkuara, gati 3 900.

I lartë numri i vdekjeve ditore edhe në Gjermani, ku këtë 24-orësh pati 964 viktima, një shifër pranë rekordeve. Të Mërkurën, numri i të vdekurve tejkaloi 1 100 për të parën herë. Edhe numri i infektimeve të reja arriti një nivel tepër të lartë pranë rekordeve 24-orëshin e fundit, mbi 32 500. Këto shifra po venë në dyshim efektivitetin e masave anti-COVID që në Gjermani janë në nivelin më të lartë, të mbylljes së të gjitha aktiviteteve jo-jetike.

Rekord viktimash për valën e dytë shënoi edhe Britania e Madhe me afro 1 mijë vdekje ditore, me më shumë se 200 raste se rekordi i mëhershëm i 23 Dhjetorit. Pranë rekordit të një dite më parë edhe numri i infektimeve të reja. Në Britaninë e Madhe, shtimi i rasteve argumentohet me qarkullimin e variantit të ri të koronavirusit që po përhapet me shpejtësi në Evropë dhe Botë.

Tv Klan