101 mijë të pasur në Shqipëri kanë 5.8 miliardë $ në banka

Pandemia e Covid-19 ka thelluar pabarazinë në Shqipëri duke bërë të pasurit më të pasur, ndërsa një pjesë e qytetarëve që kanë patur kursime në banka kanë boshatisur llogaritë e tyre.

Sipas raportit vjetor të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, në total 101 mijë individë në vendin tonë zotërojnë 5.8 miliardë Dollarë e cila zë më shumë se gjysmën e depozitave bankare. Gjatë vitit 2020, listës së të pasurve sa i takon llogarive bankare i janë shtuar edhe 5 mijë persona.

Për profesorin e ekonomisë Selami Xhepa, të dhënat se 57% e kursimeve në banka zotërohen nga 3.9% e shqiptarëve janë shqetësuese për faktin se kemi të bëjmë me një pabarazi e cila është krijuar në një kohë shumë të shkurtër, në ndryshim nga vendet e zhvilluara perëndimore.

“Jemi në shifra të krahasueshme të pabarazisë me Britaninë, Francën dhe vende të tjera të zhvilluara dhe me sistem kapitalist vite përpara nesh. Kjo është shqetësuese si shifër te mënyra se si bëhet taksimi apo rishpërndarja e të ardhurave.”

Nga 2.5 milionë depozitues në total, 930 mijë prej tyre kanë në llogaritë e tyre vlera më vogla se 100 lekë. Për ekspertët ky tregues shpjegohet me dukurinë e rritjes së shpenzimeve për mjekësi gjatë vitit të shkuar, por edhe për të përballuar nevojat bazë të personave që humbën punën.

“Pandemia ka sjellë fatura dhe shpenzime për mjekësi për shumë familje. Duhen parë mënyra që të lehtësohet taksimi i punës dhe të orientohet më shumë te taksimi i korporatave”.

Depozitat arritën në total një vlerë prej 12.28 miliardë Dollarësh në fund të vitit 2020, duke u rritur me 350  milionë dollarë, por e gjithë kjo rritje është orientuar më shumë te llogaritë e një pakice të vogël shqiptarësh.

Tv Klan