FMN pret rikuperim me 1 mijë $ më shumë gjatë vitit 2021

Pandemia dhe mbyllja e aktivitetit ekonomik për një pjesë të mirë të vendeve të botës gjatë vitit 2020, uli të ardhurat për frymë duke përfshirë dhe vendin tonë.

Shqipëria së bashku me Kosovën rezulton ndër vendet e fundit në rajon sa i përket fitimeve të qytetarëve në bazë të prodhimit të ekonomisë.

Sipas statistikave të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, të ardhurat për frymë në vendin tonë një vit më parë u ulën në 14.218 dollarë, duke zbritur me 316 dollarë krahasuar me vitin 2019 dhe duke shënuar për herë të parë tkurrje përgjatë 2 dekadave.

Shqipëria rezulton e parafundit sa i takon këtij indeksi në rajon, duke lënë pas vetëm Kosovën me 11 mijë e 200 dollarë për frymë, ndërsa Ballkani Perëndimor udhëhiqet nga Mali i zi me 19 mijë e 200 dollarë për person dhe Serbia me 19 mijë e 100 dollarë.

Mesatarja e këtij indeksi që publikon FMN për të ardhurat e qytetarëve në raport me prodhimin kombëtar përgjatë një viti në vendet e zhvilluara është 52 mijë dollarë për 2020-n, tregues ky që është ulur edhe në këto shtete me 2 mijë dollarë krahasuar me periudhën përpara pandemisë.

Për këtë vit FMN parashikon një rikuperim të të ardhurave me 1 mijë dollarë më shumë për frymë në Shqipëri, duke çuar mesataren e këtij treguesi në 15 mijë e 225 dollarë.

Tv Klan