Komisioni Europian i ka propozuar shteteve anëtare të Bashkimit Europian që të rifillojë udhëtimi i shtetasve që vijnë nga Ballkani Perëndimor edhe pa pasur arsye thelbësore. Eurokomisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi, deklaroi këtë të mërkurë nga Rinasi se për t’u bërë kjo duhet shikuar situata epidemiologjike në këto vende.  

Oliver Varhelyi: Shpresoj shumë që me 651 000 doza në thjesht po çelim dorëzimin e këtyre dozave. Ne po punojmë edhe për iniciativa të tjera, ose për të sjellë pra doza të tjera dhe shpresoj që unë do të vij vetë personalisht në të ardhmen dhe shpresoj që do vijnë doza aq shpesh sa unë s’do të kem kohë të vij në Shqipëri. Ndërsa pyetjes tjetër përgjigj është që po. Ne i kemi bërë një propozim shteteve anëtare dhe shtetet anëtare e marrin këtë vendim. Pra, vendime sesi do të ecet përpara, sesi do procedohet, është një rekomandim që ne propozojmë. Në rekomandimet tona, ne kemi sugjeruar që shtetet anëtare të hapin sërish kufijtë dhe të lejojnë edhe qytetarët e shteteve të tjera të hynë në BE, veçanërisht nga Ballkani Perëndimor edhe pa pasur arsye thelbësore. Pra, që të rifillojë udhëtimi i tyre. Ne për këtë po përdorim të dhëna epidemiologjike. Ato vende që kanë situatë të mirë epidemiologjike të kenë mundësi që qytetaret e tyre të udhëtojnë, pra të vizitojnë shtetet anëtare të BE, si dhe ata individë të cilët janë të vaksinuar. Shpresoj që në formë graduale ne të rifillojmë këtë proces dhe shpresoj të kemi një verë që do t’i ngjajë një vere normale pasi ka ardhur koha për të vendosur këtë gjë.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama tha se vendi ynë nuk do të përdorë asnjë pengesë për personat që duan të bëjnë turizëm në verë në Shqipëri.

Edi Rama: Shqipëria nuk do të përdorë asnjë kusht dhe asnjë pengesë për të gjithë ata që duan të vijnë në Shqipëri për një sezon turistik, që siç e kam thënë dhe më parë do të jetë një sezon shumë më i lehtë sesa ai i shkuari dhe me shumë kënaqësi po ndjek të gjithë procesin e pronotimeve dhe kërkesave që rriten vazhdimisht nga vendet tjera për të ardhur për të kaluar pushimet në Shqipëri. Sot jemi në pozicion realisht të admirueshëm nga pikëpamja epidemiologjike, nga pikëpamja e sasisë së vaksinave të bëra. Do vazhdojmë me ritëm të lartë vaksinimin. E kemi realizuar objektivin e gjysmë milionë vaksinimeve, 29 ditë para afatit. Tani objektivi është 1 milionë dhe puna vazhdon intensivisht në mënyrë që Shqipëria të buzëqeshë e çliruar nga ky makth i gjatë dhe që kapaciteti i saj kryesor, që ka të bëjë me turizmin të përdoret sa më shumë këtë vit dhe pastaj totalisht, vitin e ardhshëm edhe në vijim./tvklan.al