70% subvencionim kush vendos panele diellore

70% subvencionim kush vendos panele diellore

13:51 02/10/2022

Në fazën e parë qeveria mbështet 2 mijë familje

Familjet që do të vendosin të përdorin panel diellore për ngrohjen e ujit, do të subvecionohen nga qeveria në masën 70 përqind të vlerës së këtij investimi. Ministrja e Energjitikës ka lajmëruar se nga sot deri në 18 Tetor është hapur thirrja për aplikim për subjektet që ofrojnë dhe instalojnë panele diellore. Në fazën e parë parashikohet që programi të mbështesë 2 mijë familje që do të duan të instalojnë panele diellore për ngrohjen e ujit.

Stimulimi i familjeve por dhe bizneseve për të përdorur panele diellore është pjesë e strategjisë së qeverisë për kursimin e energjisë elektrike, në një kohë krizë botërore për këtë produkte. Në postimin e saj ministrja Balluku shkruan se ngrohja e ujit me energji elektrike llogaritet të përbëjë afro 20 përqind të sasisë së energjisë së konsumuar në një muaj për çdo familje.

Ndaj ajo bën thirrje për t’i kursyer këto para me programin e paneleve diellore duke ndihmuar në ruajtjen dhe ekonomizimin e energjisë.

Këtë javë qeveria vendosi të mos e aplikojë për muajin Tetor vendimin për rivendosjen e fashave të pagesës në faturën e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.

Përmirësimi i nivelit të kaskadës së Fierzës nga reshjet por dhe ulja e konsumit të energjisë sipas kryeministrit dhe ministres Balluku e bëri qeverinë të shtyjë me një muaj vendimin që parashikon rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 42 Lekë për sasinë mbi konsumin mujore prej 800 kw orë energji elektrike.

Tv Klan





Të ngjashme