Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka njoftuar hapjen e thirrjes së dytë për mbështetjen e 2000 familjeve për vendosjen e paneleve diellore për ngrohjen e ujit.
Vetë Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ishte në zonën e Farkës në Tiranë në një prej familjeve përfituese nga thirrja e parë dhe dha detaje për aplikimet e reja.
“Ne do të ndajmë këtë proces në dy faza. Duke nisur nga sot, të gjitha ato subjekte që dëshirojnë që të ofrojnë shërbime, pra instalimin dhe panele diellore për të gjithë familjarët që do të aplikojnë duhet të fillojnë të aplikojnë në faqen e Agjencisë së Eficencës së Energjisë dhe më pas nis faza e dytë, në datë 24 Shkurt të gjithë abonentët familjarë që kanë dëshirë që të pajisen me këto panele diellore të cilat subvencionohen 70% nga fondet e krijuara nga Agjencia e Eficencës së Energjisë mund të fillojnë aplikimin e tyre, duke pasur parasysh se janë të disponueshme 2000 unite për t’u përdorur në këtë paketë të dytë”.
Balluku shtoi më tej se diversifikimi i burimeve të rinovueshme mbetet prioritet.
“Diversifikimi i burimeve të rinovueshme është strategji kombëtare të cilën e ndjekim nga viti 2019, por ajo çka ne kërkojmë është të përfshijmë të gjithë qytetarët në këtë strategji e cila do ta çojnë Shqipërinë drejt një të ardhme të sigurtë në energji, por jo vetëm energji, në energjinë e rinovueshme”.
Zëvendëskryeministrja risolli në vëmendje se prej datës 1 Shkurt ka nisur të aplikohet edhe çmimi i ri i energjisë elektrike, 10.5% më i ulët për abonentët familjarë të cilët konsumojnë deri në 700 kilovatorë.
Klan News