Në kohën kur siguria në aeroporte dhe gjatë udhëtimeve ajrore ka arritur kulmin në avionin e linjës Tiranë-Bergamo të kompanisë “Blu Panorama” është shënuar një incident. Kjo pasi një person ka tentuar të hapë derën e daljes së emergjencës.

Një pasagjer që kontaktoi televizionin Klan tha se ai mbante në dorë tespie, qeshte me të madhe, ishte ngritur nga vendi i tij dhe kishte kapur dorezën e derës për ta hapur. Pas kësaj kanë ndërhyrë disa pasagjerë dhe stafi i sigurisë së avionit dhe nuk dihet nëse ai ka qenë në efektin e ndonjë substance.

Vetë kompania “Blu Panorama” në një deklaratë të saj thotë se ngjarja ka ndodhur gjatë procesit të imbarkimit të pasagjerëve në aeroportin e Tiranës. Sipas saj veprimi është bërë në mënyrë të papërgjegjshme nga një pasagjer në moshë madhore.

Kompania thotë se pas kontrollit teknik të derës së emergjences nga stafi teknik i kompanisë dhe vleresimit të parrezikshmërisë së pasagjerit, komandanti ka vazhduar normalisht procesin e imbarkimit, ndërsa ky pasagjer i veprimit të papërgjegjshëm është akomoduar larg dyerve të emergjencës.

Kompania njofton se fluturimi është nisur në orar dhe ka vijuar i qetë deri në destinacion.

Tv Klan