Specialistët: Shkak aplikacionet e internetit, tregojnë çdo lëvizje sizmike

Lëkundjet sizimike në vendin tonë vijojnë. Në 36 orët e fundit në Institutin e Gjeoshkencave janë regjisturar 20 lëkundje. Ato kanë variuar nga 1.6 deri në 4.5 Rihter. Ajo që bie në sy është se numri më i madh i tërmeteve është regjistruar në zonën e Elbasanit. Por sipas sizmiologut Llambro Duni, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.

“Shqipëria është një nga vendet me sizmicitetin më të lartë në Europë. Ne kemi pothuajse çdo ditë lëkundje sizmike. Normalisht që me dy tërmetet e fuqishme që kaluam qytetarët ndihen të frikësuar. Por duhet të ruajmë qetësinë, pasi një pjesë të këtyre tërmeteve njerëzit nuk i ndiejnë. Problem i tyre është që i ndiejnë aplikacionet që kanë në telefon dhe ndaj alarmohen. Ka aktivitet të shtuar në Elbasan, situata po monitorohet por nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”.

Sipas ekspertëve të sizmiologjisë, Shqipëria shtrihet në brezin e dytë të zjarrtë. Mes mikropllakës së Adrias dhe asaj Euroaziatike, shtytja e të cilave shkakton dhe lëkundjet sizimke. Ndaj dhe zona bregdetare është rajoni më i ekspozuar ndaj rreziqeve sizmike.

Epiqendrat e tërmeteve në Shqipëri janë të shpërndarë në 3 breza sizmikë,  ku më problematikë është brezi Adriatiko-Jonik, brezi Peshkopi-Korçë me shtrirje veri-jug; si dhe brezi i tretë ai Lushnjë-Elbasan-Dibër.

Klan Plus