Para ndeshjes ishte optimist, por në fund të sfidës me Izraelin Panucci u detyrua sërish të justifikojë humbjen, e dyta për të në Ligën e Kombeve.

Christian Panuçi, trajner i Shqipërisë :

Nuk mund të pranoj një rezultat ku patëm 7 raste shënimi, dominuam lojën dhe me një rivënie të portierit dhe një autogol ne humbasim ndeshjen 2 – 0. Po t’ia tregosh dikujt do t’i vijë për të qeshur. Por në futboll fiton ai që shënon. Ne u bëmë dy dhurata dhe ata fituan.

Kuqezinjtë dominuan me lojë dhe goditje në portë. Balaj nuk e kaloi dot pengesën e portierit kundërshtar, i cili u tregua vendimtar në të paktën 3 raste, përfshi dhe një goditje të Xhakës nga brenda zonës. Kuqezinjtë u ndëshkuan nga dy gabime në mbrojtje, ku ishin të rreshtuar Mavraj, Gjimshiti, Binaku e Hysaj. Mbrojtësi i Napolit pranoi shpërqendrimin në mbrojtje, por vuri theksin edhe tek mungesa e golit.

Elseid Hysaj, futbollist i Shqipërisë:

Patëm shumë raste por nuk shënuam. Duhet të tregohemi më të kujdesshëm si rastin e golit të parë dhe të mos pësojmë gola të tillë.

Hysaj nuk do të jetë në fushë për ndeshjen e fundit me Skocinë për shkak kartonësh. Shqipëria pas 3 takimeve në Ligën e Kombeve është e fundit në Grupin 1 të Divizionit C me vetëm 3 pikë.

Tv Klan