Me dëshirën për t’u grumbulluar vazhdimisht në Kombëtare dhe si rrjedhojë edhe për të patur më shumë mundësi në klubet e tyre në Europë, futbollistët e rinj të aktivizuar nga Christian Panucci në miqësoren me Jordaninë u përpoqën të justifikonin besimin e dhënë.

Vërtet nuk shënuan, por krijuan disa raste dhe kontrolloi më së shumti topin. Në pjesën e dytë italiani ndërroi gjysmën e skuadrës, plot 5 lojtarë. Kapiteni Mavraj, Binaku, Xhaka, Grezda dhe Ramadani i lanë vendin në pjesën e dytë, Dermakut, Lenjanit, Balajt, Uzunit dhe Ndojit. Në mungesë të stërvitjes së përditshme me njëri tjetrin futbollistët nuk ishin fort të koordinuar përballë mbrojtjes së ngjeshur të Jordanisë. Edhe pse gjatë gjithë ndeshjes ka dhënë porosi e këshilla për lojtarët, në konferencën për shtyp pas ndeshjes, trajneri i Kombëtares u shfaq i lumtur.

“Sot bëra 6 ndërrime. Shumë titullarë nuk luajtën. Krijuam 4 raste në pjesën e parë. Në të dytën u treguam më seriozë, por bëmë shumë rrëmujë pasi ata mbroheshin shumë. Po ti stërvisja çdo ditë këta lojtarë gjendja do të ishte krejt ndryshe.”

Ndryshe mendojnë analistët. Për gazetarin Bashkim Tufa, testi me Jordaninë dështoi.

“Kombëtarja dështoi në të gjitha drejtimet. Ka humb ritmin, s’ka mendim loje e vetmja bukuri ishte Uzuni.”

Dhe duke qenë se miqësorja me Jordaninë ishte në shërbim të ndeshjes kundër Izraelit, e vlefshme për Ligën e Kombeve, çfarë duhet pritur nga përballja e 14 tetorit?

“Nëse luajmë më fort mund të shpresojmë në një rezultat pozitiv, humbja nuk falet.”

 Tv Klan