Pas mbylljes së kualifikueseve të botërorit dhe pasi ka drejtuar skuadrën në 4 ndeshje Christian Panuccit i hapet një sfidë e re përpara. Në thuajse një vit kohë i duhet të përgatisë një skuadër të aftë për eliminatoret e europianit. Italiani premton se në këtë periudhë do të jetë duke kërkuar lojtarë në kampionatet evropiane, por që tani i ka vënë objektiv vetes që ekipi i drejtuar prej tij tashmë është i aftë të garojë si i barabartë madje të kërkojë rezultat ndaj çdo kundërshtari.

“Jam i sigurt se skuadra mund të jetë me agresive. Kemi lojtarë që dinë të luajnë futboll. Iu duhet vetëm guxim. Duhet të dalim nga loja mbrojtëse dhe të kërkojmë të godasim kundërshtarin. E kam parë këtë tek lojtarët që kërkojnë më shumë, ata ma kanë dhënë këtë ide më dëshirën që kanë. Ekipi i ka këto aftësi dhe cilësi. Në miqësoret që kemi do të luajmë me dy sulmues.. Nuk do të luajmë 3-5-2 apo të parkojmë autobusin. Kemi një bazë shumë të mirë dhe do t’i luajmë ndeshjet tona me kurajo.”

Gjithësesi Panucci e ka një shqetësim

“E vetmja gjë që me shqetëson është se shumë lojtarë luajnë në Zvicër, Greqi, Rusi dhe intensiteti i stërvitjes është i ulët dhe kam vështirësi të rrisë ritmin e stërvitjes.”

Tekniku tregoi se ka një listë prej 15 lojtarësh që do t’i shohë nga afër në disa kampionate europiane. Në të njëjtën kohë do të bashkëpunojë edhe me trajnerët e U-19 dhe U-21 në mënyrë që krijohen lojtarë në role që i mungojnë përfaqësueses A.

“Do udhëtoj shumë. Pres shumë nga disa lojtarë. Do të takohem edhe një herë me trajnerët e U-19 dhe U-21 për të përcaktuar një linjë se ku duhet të punojnë sepse ka disa role që mungojnë.”

Pritet që ndeshja e radhës së Kombëtares të jetë miqësorja e nëntorit me shumë mundësi me përfaqësuesen norvegjeze./Tv Klan