Në një kohë që analistë dhe tifozë kanë lëshuar kritika të forta ndaj trajnerit Christian Panucci mbi lojën e kombëtares pas humbjes ndaj Skocisë, vetë trajneri ka një përgjigje. I kontaktuar me telefon nga TV Klan, Panucci thotë se shkaku kryesor i humbjes ishte gjendja e ekipit.

“Kur luan me shumë mungesa si Grezda, Sadiku, Cikalleshi, Mavraj si dhe me lojtarë që aktivizohen pak si Balaj, apo edhe të tjerë, do të bësh ndeshje të tilla. Çdo gjë duhet të vlerësohet në kushtet ku qëndron skuadra dhe lojtarët, sepse ne nuk jemi Spanja që mund të zgjedhim mes 70 lojtarëve për kombëtaren”.

Trajneri Panucci mbetet me shpresë për takimet e ardhshme të Ligës së Kombeve.

“Jemi të parët në grup me Skocinë, por kjo skuadër do të vijë në Shqipëri për ndeshjen e kthimit. Nëse do të mund të rikuperojmë lojtarët që janë të dëmtuar dhe ata jashtë forme mund të shpresojmë në një rezultat pozitiv në Izrael dhe me Skocinë në shtëpi. Ndoshta mund të përsëritet edhe rezultati i miqësores me Turqinë”.

Një mbështetje e fortë për trajnerin erdhi edhe nga Presidenti i Federatës së Futbollit Armand Duka. Kreu i kërij organizmi rikonfirmoi besimin e tij për trajnerin Panucci duke u shprehur se humbja ndaj Skocisë nuk duhet trajtuar si tragjedi.

“Të gjithë ne, duhet t’i japim kohën e mjaftueshme trajnerit për të bërë ndryshimet dhe reflektimet e duhura në skuadër. Koha e llogoreve nuk vlen për askënd. Kritikat janë normale për një skuadër kur ajo humbet. Por kur këto bëhen për interesa jo sportive, nuk i shërbejnë askujt”.

Presidenti Duka bën thirrje për mbështetje ndaj skuadrës kombëtare të futbollit.

Tv Klan